Gjatë muajit Tetor-Nëntor 2025, Qendra për Administrim Social Ekonomik Territorial (ASET) ka investuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale të psikologëve dhe punonjësve socialë, me fokus përmirësimin e shërbimeve ndaj të moshuarve. Në këtë kuadër, ASET ka organizuar dy programe trajnimi të akredituara nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Social (ASCK), të hartuara sipas standardeve kombëtare dhe praktikave bashkëkohore të shërbimeve sociale per operatorë socialë.
Në këto dy programe trajnimi të zhvilluara në kuadër të projektit “eldEARLY” të mbështetura financiarisht nga IADSA kanë marrë pjesë 350 profesionistë, psikologë dhe punonjës socialë nga e gjithë Shqipëria, duke krijuar një rrjet të gjerë profesionistësh të përgatitur për ofrimin e shërbimeve cilësore për moshën e tretë. Nga ky numër, 300 pjesëmarrës janë trajnuar për ofrimin e shërbimit të asistencës shtëpiake për të moshuarit, me theks të veçantë në komunikimin profesional, vlerësimin e nevojave, hartimin e planeve individuale të kujdesit, etikën profesionale dhe respektimin e standardeve të miratuara për shërbimet e përkujdesjes shoqërore.
Ndërkohë, 50 psikologë dhe punonjës socialë janë trajnuar për ofrimin e këshillimit në distancë (online), në kuadër të linjës së këshillimit për të moshuarit. Ky trajnim ka synuar aftësimin e profesionistëve për të ofruar mbështetje psikologjike dhe sociale në mënyrë të sigurt, etike dhe profesionale, duke respektuar konfidencialitetin, privatësinë dhe specifikat e komunikimit me të moshuarit në distancë.
Këto iniciativa dëshmojnë angazhimin e vazhdueshëm të ASET për të kontribuar në rritjen e cilësisë së shërbimeve sociale, fuqizimin e profesionistëve dhe ndërtimin e një sistemi shërbimesh më të aksesueshëm, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt nevojave reale të të moshuarve, duke nxitur një qasje të integruar ndërmjet shërbimeve sociale dhe mbështetjes psiko-sociale, si dhe duke forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional në nivel vendor dhe kombëtar.