Qendra Aset ka shënuar fillimin e aktiviteteve në vitin 2015 me projektin “Për fëmijët, me fëmijët në risk”, ku me mbështetjen financiare të “Agjensisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, realizoi pilotimin e programit “Compasito” në qendrat e përkujdesit social në Sarandë dhe Tiranë.
Në vitin 2017 Qendra ASET mbështetur nga “Save the Children” në partneritet me “Terre des homes” në Shqipëri, financuar nga Bashkimi Evropian, në kuadër të skemës së granteve të projektit “Përfshirja e Shoqërisë Civile për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri” implementoi Projektin: “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve”. Nga ky projekt përfituan rritje kapacitetesh profesionistët e katër “Qendrave për Fëmijët në Situatë Rruge” në qytetin e Tiranës dhe të Shkodrës.
Me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Qendra ASET duke filluar nga viti 2018 – 2019 ka kthyer tashmë në një traditë të rëndësishme “Tiranën e veshur me kostume popullore”, duke kontribuar në promovimin e turizmit dhe vlerave kulturore kombëtare. Ky projekt, i cili përfshin guidat turistike të ofruara nga të rinj të veshur me kostume popullore, ka një ndikim të thellë në rritjen e atraktivitetit të Tiranës si destinacion turistik.
Në vitet 2018 – 2019 me mbështetjen e UNDP dhe në partneritet me Bashkinë Tiranë, Qendra Aset nëpërmjet projektit “Shërbime Sociale Inovative për të moshuar në nevojë” ka kontribuar në krijimin e modelit të parë në Shqipëri të shërbimit të asistencës shtëpiake, i cili u standartizua nëpërmjet hartimit të manualeve dhe protokolleve të punës, standardit të ofrimit të këtij shërbimi me figura profesionale, si dhe u kostua për të patur të plotë modelin e ofrimit të këtij shërbimi inovativ social.
Në kuadër të projektit “Ndërgjegjësimi dhe forcimi i kapaciteteve në shërbimin e kujdestarisë alternative” pjesë e skemës së sub granteve nga SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri dhe organizata TLAS në kuadër të projektit “Zhvillimi i OSHC-ve për Familjet Kujdestare në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian, në vitet 2019-2020 Qendra ASET implementoi projektin “Ndërgjegjësimi dhe forcimi i kapaciteteve në Shërbimin Alternativ të Kujdestarisë”. Qendra ASET promovoi shërbimin e kujdestarisë përmes rritjes së ndërgjegjësimit publik, për të garantuar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të standardizuara për fëmijët pa kujdes prindëror përmes identifikimit dhe trainimit të familjeve të mundshme të kujdestarisë.
Në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet, në vitin 2020, Qendra ASET realizoi projektin “Tirana 100 vjet kryeqytet, folklor dhe traditë” në partneritet me Bashkinë Tiranë, me synim promovimin e traditës dhe kulturës së kryeqytetit, veçanërisht duke përfshirë të rinjtë. Qëllimi ishte të sillet një përvojë unike dhe autentike për turistët, duke i vendosur ata përballë një imazhi të gjallë të traditës shqiptare. Për këtë qëllim, të rinjtë u veshën me kostume tradicionale, të cilat përfaqësonin rajone të ndryshme të vendit dhe traditat e tyre unike.Me një njohuri të thellë mbi historinë dhe etnografinë shqiptare, këta të rinj u shndërruan në ambasadorë të trashëgimisë kulturore, duke ofruar për turistët një udhëtim të veçantë në kohë.
Në Tetor 2020, me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, projekti “TIRANA – Kryeqyteti 100 vjeçar – ndërmjet Kulinarisë & Etnografisë“ bëri bashkë dy elementë të cilët shërbejnë në promovimin e turizmit: Kulinaria dhe Etnografia. Kryeqyteti tashmë 100 vjeçar ofron kulinari e cila tërheq vëmendjen e vizitorëve dhe turistëve. Pranë Pazarit të Ri u prezantuan gatime tradicionale të Tiranës, të përgatitura nga institutet kulinare dhe agroturizmat e zonës.
Në vitin 2020 me mbështetjen financiare të “Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin” shërbimi u pilotua për një periudhë të shkurtër kohore projekti “Moshimi vlerë njerëzore, Përkujdesja detyrimi ynë”. Shërbimi ruajti respektin për dinjitetin e të moshuarve dhe synoi përmirësimin e pavarësisë dhe integritetit social të tyre, veçanërisht pas pandemisë Covid-19, kur u rrit shumë nevoja për një mbështetje të tillë. Një komponent i rëndësishëm i këtij projekti ishte ngritja e një kurrikule të re për trajnimin e operatorëve socialë, e cila mundësoi ndihmën e kualifikuar dhe efektive për të moshuarit. Nëpërmjet kurrikulës për operator social u trajnuan studentë për krijimin e figurës së re profesionale “Operator social”.
Qendra Aset në vitet 2021-2022 e mbështetur financiarisht nga Bashkia Tiranë, projekti “Nuk je vetëm” ka qenë një iniciativë jetësore për të përmirësuar cilësinë e jetës të të moshuarve përmes ofrimit të asistencës shtëpiake. Në vijim të ofrimit të asistencës shtëpiake (shërbim i nisur në vitin 2020) ky projekt është zhvilluar për një periudhë një vjeçare, duke siguruar mbështetje të vazhdueshme dhe kujdes për të moshuar në përputhje me standardet kombëtare të mbrojtjes sociale. Një nga aspektet e rëndësishme të këtij projekti ka qenë rekrutimi dhe trajnimi i stafit psiko-social para se ai të ofronte shërbimin e integruar socio-shëndetësor për të moshuarit.
Me përfundimin e pandemisë Covid-19, në vitin 2021 u evidentua qartë se nevoja për mbështetje të veçantë për personat e moshuar dhe ata me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore ishte një domosdoshmëri. Për të adresuar këto nevoja, Qendra ASET, me mbështetje financiare nga Agjensia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, nëpërmjet projektit “Së bashku për post Covid-19” në periudhën 2021-2022, për rreth një vit ofroi këshillime dhe terapi psiko-sociale online. Ky model i ri i shërbimeve online për këshillim dhe terapi u zhvillua nëpërmjet një protokolli të standardizuar dhe manualeve të hartuara për qëllim të ofrimit të këtij shërbimi. Përmes këtyre shërbimeve, profesionistët synuan që individët në nevojë aftësoheshin për të menaxhuar më mirë problemet e tyre sociale dhe psikologjike, duke kontribuar në një jetesë më të shëndetshme dhe të qëndrueshme në periudhën e vështirë post covid.
Në vitin 2022 Qendra ASET , mbështetur nga UNDP dhe në partneritet me Bashkinë Durrës dhe Kavajë ka kontribuar me asistencë shtëpiake për mëkëmbjen e individëve më vulnerabël të prekur nga tërmeti i Nëntorit 2019 në Kavajë dhe Durrës duke i asistuar personat në nevojë (familjeve të prekura nga tërmeti, që jetojnë në varfëri, personat me aftësi të kufizuara dhe kategori të tjera të cënueshme) me shërbime përkujdesi në banesë, mbështetje psiko-soicale dhe asistencë për aksesin në shërbime shëndetësore.
Duke filluar nga viti 2022 e deri në 2023-shin, me mbështetjen e UNICEF, Qendra ASET filloi të kontribuojë në realizimin e reformës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar sipas modelit biopsikosocial me projektin “Profesionistët lokalë kuptojnë sensibilitetin e aftesisë së kufizuar në mbrojtjen sociale“. Në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirqënies Sociale si dhe me Shërbimin Social Shtetëror është fuqizuar personeli mjekësor dhe social i përfshirë në skemën e vlerësimit duke zhvilluar trajnime të një pas njëshme në 12 Qarqe të vendit.
Qendra Aset në vitin 2022 nëpërmjet projektit “Nga Tirana në Europë – Guidë rinore mbi Historinë e Traditën e Kryeqytetit të Rinisë” i mbështetur financiarisht nga “Kongresi Rinor Kombëtar” synoi të promovojë historinë, trashigiminë kulturore kaq të pasur si bukuritë natyrore të Tiranës – duke ideuar edhe një revistë që përmban informacione dhe fotografi të Tiranës, duke ofruar një prezantim sa më dinjitoz për turistët që e vizitojnë.
Në Shtator të vitit 2022 në partneritetit me Bashkinë Tiranë, Qendra ASET ka ndërmarrë një iniciativë unike në Shqipëri, duke krijuar Guidën e parë Turistike Fetare – duke promovuar në të njëjtën kohë një nga vlerat më thelbësore të popullit Shqiptar – BASHKEJETESËN FETARE. Kjo guidë ishte një mjet i rëndësishëm për të gjithë turistët dhe vizitorët që dëshirojnë të njohin nga afër diversitetin fetar në Bashkinë Tiranë. E disponueshme si në formë të printuar ashtu edhe elektronike, kjo guidë jep informacion të detajuar mbi objektet e kultit për pesë besimet kryesore fetare që bashkëjetojnë në Shqipëri.
Qendra ASET me mbështetjen e UNICEF dhe partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, ne vitin 2022, në kuadër të Reformës së Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar në Sistemin e Mbrojtjes Sociale, duke synuar të sigurojë një zhvendosje në paradigmën e vlerësimit nga mjekësia në qasjen bio-psiko-sociale e zbatoi këtë projekt,fillimisht në disa qarqe të vendit. Qendra ASET ka fuqizuar profesionistët lokal për të kuptuar reformën e vlerësimit të aftesisë së kufizuar si dhe më pas zbatim korrekt të saj duke ndjekur me korrektësi skemën e vlerësimit. Janë trajnuar gjithsej 119 administratorë socialë, 409 mjekë familjeje dhe 318 mjekë specialistë në Qarkun Korçë, Shkodër, Vlorë dhe Lezhë.
Në partneritet me Bashkinë Tiranë, në vitin 2023, Qendra ASET e ka bërë traditë të promovojë historinë, trashëgiminë kulturore kaq të pasur si bukuritë natyrore të Tiranës – tashmë nëpërmjet ofrimit të guidave turistike nga të rinj të veshur me kostume popullore të trajnuar për të përcjellë edhe historinë dhe traditën e Kryeqytetit nëpërmjet projektit “Tirana, Historia, Tradita dhe Natyra e Kryeqytetit të Shqiptarëve. Guidë Rinore”. Këto iniciativa të veçanta kanë kontribuar prej disa vitesh në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe përmirësimin e përvojës turistike në kryeqytetin shqipëtar. Kanë patur rëndësi në promovimin e identitetit kombëtar, zhvillimin e turizmit kulturor dhe edukimin e brezave të rinj për ruajtjen e traditave.
Në Dhjetor 2023 me mbështetjen financiare të Bashkisë Tiranë, projekti “Tirana e Traditës dhe Trashëgimia Kulturore,” prezantuar dhe realizuar nga Qendra ASET, mori përsipër promovimin e ruajtjes së aftësive artizanale të trashëguara nga brezat e vjetër të qytetit të Tiranës. Këto aftësi përfaqësojnë një pasuri të vyer kulturore dhe tradite, të cilat janë të rrënjosura thellë në identitetin kombëtar shqiptar dhe ndihmojnë në ruajtjen e lidhjeve ndërmjet të shkuarës dhe të tashmes.
Prej katër vitesh ( 2021 – 2024) Qendra ASET ofron shërbime të integruara sociale dhe shëndetësore, mbështetëse për të moshuarit e vetmuar dhe në nevojë, në banesat e tyre, duke ofruar përkujdesje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. Qendra ASET në partneritet me Këshillin e Qarkut Tiranë, me financim nga fondi social i dhënë nga Ministria e Shendetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka identifikuar dhe ka ofruar shërbim për më shumë se 300 të moshuar në Qarkun Tiranë dhe po vijon aktivitetet e saj të asistencës shtëpiake duke ju dedikuar të moshuarve të vetmuar dhe me probleme të mprehta social-ekonomike.
Qendra ASET ka një përvojë të pasur dhe të larmishme në fushën e trajnimeve, veçanërisht
në sektorin shëndetësor dhe social, duke kontribuar në përmirësimin e kapaciteteve
profesionale të punonjësve të ndryshëm. Një nga iniciativat më të rëndësishme ka qenë
organizimi i trajnimeve për mjekët e familjes dhe personelin e përfshirë në reformën e
vlerësimit të aftësisë së kufizuar sipas modelit biopsikosocial. Qendra ASET ka trajnuar me sukses mjekët e familjes, duke u dhënë atyre aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të kryer një vlerësim të plotë dhe gjithëpërfshirës të aftësisë së kufizuar, duke u bazuar në standardet ndërkombëtare. Përveç kësaj, qendra ka organizuar trajnime për të gjithë personelin e komisioneve në 12 Qarqe të vendit që kryejnë vlerësimin e aftësisë së kufizuar. Ky trajnim ka qenë thelbësor për të siguruar një zbatim të drejtë dhe të saktë të reformës në rang kombëtar duke garantuar cilësinë dhe përputhshmërinë me politikat e reja të vlerësimit.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i trajnimeve ka qenë edhe trajnimi i infermierëve, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në përkujdesjen dhe mbështetjen e individëve me aftësi të kufizuara.
Të gjitha këto trajnime të ofruara nga ASET kanë qenë të akredituara nga Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, çka tregon për nivelin e lartë të cilësisë së tyre. Ky akreditim u ka mundësuar profesionistëve të shëndetit të marrin kredite të vlefshme për zhvillimin e tyre profesional dhe të rrisin kompetencat e tyre në shërbimin ndaj komunitetit.
Qendra “ASET, me një ekip të dedikuar profesionistësh për implementimin e projekteve, duke dhënë kështu kontributin e tyre dhe suksesin e garantuar në realizimin e këtyre iniciativave të cilat gjithmonë kanë patur mbështetjen e partnerëve tanë kombëtar dhe ndërkombëtar, ku mund të përmendim Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Qarkut Tiranë, Bashkia Tiranë, Bashkia Shkodër, Fshatrat e fëmijëve SOS-Shqipëri, AMSHC, UNDP, UNICEF, Save the Children, Terre des hommes, IADSA, Regione Liguria, Regione Marche etj mbetet një aktor kyç në krijimin e mundësive dhe përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve që shërben. Ndikimi ynë i qëndrueshëm dhe rezultatet konkrete janë dëshmia e përkushtimit tonë për një të ardhme më të mirë për të gjithë.