Trajnime për një sistem gjithëpërfshirës dhe të ndjeshëm për aftësinë e kufizuar

 

Në kuadër të projektit “Mbështetje për një sistem gjithëpërfshirës dhe të përgjegjshëm të mbrojtjes sociale për aftësinë e kufizuar në Shqipëri”, Qendra ASET në bashkëpunim me UNICEF zhvilloi një program gjithëpërfshirës trajnimi për profesionistët kyç të përfshirë në vlerësimin dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara.

Trajnimet u zhvilluan në 12 qarqe dhe përfshinë mbi 122 profesionistë nga 37 komisione shumëdisiplinare, përfshirë mjekë të familjes, mjekë specialistë, punonjës socialë dhe operatorë. Modulet ishin të akredituara dhe ndërtuar mbi qasjen bio-psiko-sociale, duke përfshirë teknika miqësore për fëmijët dhe menaxhim të rasteve komplekse. Secili modul kombinonte teori me shembuj praktikë dhe diskutime ndërdisiplinare për të forcuar bashkëpunimin profesional.
Paralelisht, 649 punonjës të njësive të qeverisjes vendore (496 administratorë socialë dhe 153 punonjës socialë) morën pjesë në trajnime online mbi zhvillimin e Planeve Individuale të Mbështetjes dhe monitorimin e shërbimit të asistentëve personalë për personat me aftësi të kufizuara. Për këtë qëllim, u hartuan dhe shpërndanë udhëzues praktikë, protokolle për vizitat në shtëpi dhe formate monitorimi, tashmë të miratuara zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Trajnimet u zhvilluan nga një grup trajnerësh me përvojë të gjatë në fushën e aftësisë së kufizuar, të drejtave të njeriut dhe shërbimeve sociale. Modulet ishin të strukturuara profesionalisht, të akredituara nga institucionet përkatëse, dhe të përshtatura sipas nevojave të pjesëmarrësve, duke kombinuar ekspertizën teorike me raste praktike dhe qasje interaktive që nxitin reflektim dhe zbatim konkret në praktikë.

Përmes këtij programi, ASET ka kontribuar në rritjen e kapaciteteve profesionale në nivel kombëtar, duke forcuar themelet për një sistem më të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të ndjeshëm ndaj nevojave të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri, sidomos në trajtimin dinjitoz dhe të barabartë të fëmijëve dhe grupeve të margjinalizuara.

Design by Gremza