Trajnime për Familjet Kujdestare – Kujdes alternativ me dashuri dhe përgjegjësi

 

Qendra ASET, me përvojë të konsoliduar në fushën e mbrojtjes sociale, ka zhvilluar me sukses trajnime të specializuara për familjet e interesuara të bëhen familje kujdestare, për të ofruar kujdes alternativ për fëmijët pa përkujdes prindëror. Ky trajnim i dedikuar shpjegon në detaje procesin e kujdestarisë, hapat ligjorë dhe administrativë që duhet ndjekur, si dhe aftësitë që një familje duhet të ketë për të ofruar mbrojtje të sigurt, mbështetje emocionale dhe një mjedis të qëndrueshëm, të dashur dhe edukues për fëmijët në nevojë.

Në bashkëpunim me ekspertë të fushës dhe mbështetur nga partnerë të njohur (SOS – Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri) , këto trajnime kanë synuar rritjen e njohurive mbi kuadrin ligjor dhe institucional të shërbimit të kujdestarisë, forcimin e aftësive për menaxhimin e situatave të ndërlikuara dhe ndërtimin e një qasjeje të ndjeshme, të dashur dhe të përgjegjshme ndaj fëmijëve në nevojë.

Trajnimet kanë përfshirë seanca informuese mbi parimet e kujdestarisë familjare, metodologjinë e vlerësimit dhe përgatitjes së familjeve, të drejtat dhe nevojat e fëmijëve pa përkujdesje prindërore, dhe procesin administrativ e ligjor për të përfituar statusin e familjes kujdestare. Nëpërmjet punës në grupe, diskutimeve interaktive dhe shembujve praktikë, pjesëmarrësit kanë fituar aftësi konkrete dhe vetëbesim për të ofruar një ambient të sigurt dhe mbrojtës për fëmijët.

Qendra ASET ka ndihmuar dhjetëra familje të informohen, të vlerësohen dhe të përgatiten për të ndërmarrë këtë rol kaq të rëndësishëm social, duke ndihmuar në finalizimin e dokumentacionit të nevojshëm dhe duke ofruar asistencë të vazhdueshme gjatë gjithë procesit.

Ky shërbim i rëndësishëm synon të ofrojë një alternativë cilësore kundër institucionalizimit, duke garantuar të drejtën e fëmijëve për të jetuar dhe u rritur në një mjedis familjar të dashur dhe të kujdesshëm. Për ASET, përgatitja e familjeve kujdestare është një investim në të ardhmen e fëmijëve dhe në një shoqëri më të ndjeshme dhe të përgjegjshme.

 

 

 

 

 

Design by Gremza