Periudha e implementimit: Prill 2025 – Korrik 2025
Qendra ASET me mbeshtetjen e Bashkise Tirane është duke zbatuar “Tirana, Zemra e Mesdheut”, një nismë që synon të promovojë trashëgiminë kulturore të vendeve mesdhetare dhe të forcojë dialogun ndërkulturor nëpërmjet një përvoje unike turistike dhe edukative në Tiranë. Në kuadër të vitit ku Tirana mban titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”, projekti e pozicionon qytetin si një urë lidhëse midis 22 vendeve të rajonit të Mesdheut.
Projekti përfshin përgatitjen e një albumi kulturor 200-faqësh në anglisht, që dokumenton traditat, kulinarinë, artin dhe trashëgiminë e vendeve mesdhetare, dhe do të shpërndahet si në format fizik ashtu edhe në version elektronik me kod QR. Një element i veçantë është përfshirja e 9 të rinjve të trajnuar si guida kulturore, të cilët do të prezantojnë për turistët kulturën e çdo vendi të Mesdheut, të veshur me kostume tradicionale përkatëse.
Aktivitetet do të shtrihen për tre muaj në hapësira publike të Tiranës, duke sjellë një atmosferë shumëngjyrëshe dhe ndërvepruese që promovon turizmin kulturor, edukimin informal dhe pjesëmarrjen aktive të të rinjve. Projekti synon të rrisë atraktivitetin turistik të Tiranës, të forcojë ndjenjën e përkatësisë rajonale dhe të vendosë qytetin në qendër të promovimit të trashëgimisë mesdhetare.
“Tirana, Zemra e Mesdheut” është një shembull i shkëlqyer i ndërthurjes së traditës me inovacionin, dhe një model i suksesshëm i angazhimit të të rinjve në promovimin e vlerave kulturore dhe identitetit mesdhetar.