Periudha e implementimit:Dhjetor 2023
Me mbështetjen financiare të Bashkisë Tiranë, projekti “Tirana e Traditës dhe Trashëgimia Kulturore,” prezantuar dhe realizuar nga Qendra ASET, mori përsipër promovimin e ruajtjes së aftësive artizanale të trashëguara nga brezat e vjetër të qytetit të Tiranës.Këto aftësi përfaqësojnë një pasuri të vyer kulturore dhe tradite, të cilat janë të rrënjosura thellë në identitetin kombëtar shqiptar dhe ndihmojnë në ruajtjen e lidhjeve ndërmjet të shkuarës dhe të tashmes.
Gjithashtu ideimi i një reviste me informacione të detajuara dhe ilustrime të pasura mbi punimet artizanale tiranase u shpërnda në formë të printuar dhe elektronike, për të përçuar mesazhe mbi rëndësinë e ruajtjes dhe rëndësisë së kësaj tradite. Revista ishte një mjet i vlefshëm për të edukuar komunitetin dhe për të nxitur më shumë interes për artizanatin.
Një nga aktivitetet më të rëndësishme të projektit ishte organizimi i një panairi të dedikuar për punimet artizanale, i cili u mbajt në ExpoCity nga 13 deri më 15 Dhjetor 2023.Ky panair, i titulluar “Aftësi – Karrierë dhe Punësim” pati si qëllim jo vetëm prezantimin e punimeve tradicionale artizanale, por edhe krijimin e një platforme ku artizanët vendas mund të promovonin punimet e tyre dhe të bashkëpunonin me njëri-tjetrin. Vizitorët patën mundësinë të shohin dhe të blejnë punime unike të realizuara me teknika tradicionale, si punime në dru të gdhendur, lëkurë të punuar me dorë, qeramikë tradicionale dhe qeleshe të bëra nga mjeshtrit vendas.
Artizanët morën pjesë gjithashtu në forume dhe diskutime të veçanta gjatë panairit, ku ekspertë të fushës ndanë njohuri dhe përvoja mbi mënyrën se si këto teknika mund të mbijetojnë dhe të evoluojnë në tregjet moderne.Këto aktivitete forcuan lidhjet ndërmjet brezave të vjetër dhe të rinj të artizanëve, duke siguruar vazhdimësinë dhe përparimin e këtyre traditave të çmuara.
Ky projekt ishte një hap i rëndësishëm në promovimin e artizanëve dhe në angazhimin e tyre për të ruajtur këto vlera të çmuara për brezat e ardhshëm.