Më 25 Prill Qendra ASET organizoi aktivitetin përmbyllës të projektit “Shkollat për Shëndetin” në bashkëpunim me Save the Children dhe mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Ky projekt , ka si qëllim kryesor promovimin e sjelljeve të shëndetshme dhe zakoneve të një jetese të shëndetshme tek fëmijët e moshës 6-15 vjeç në Shqipëri, si mënyrë për të parandaluar dhe kontrolluar faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet jo të transmetueshme (NCDs).Në përmbyllje të këtij viti të katërt të zbatimit të këtij projekti (Mars 2024 – Shkurt 2025) nga Save the Children, Qendra ASET organizoi një Workshop interaktiv me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, profesionistë lokalë dhe individë të angazhuar në fushën e shëndetit dhe mirëqenies. Pjesë e këtij trajnimi ishin punonjës socialë, psikologë shkollorë, infermierë, si dhe ekspertë të tjerë të fushave përkatëse, të cilët kontribuan aktivisht në shkëmbimin e njohurive dhe përvojave të tyre. Në fund të trajnimit të gjithë pjesëmarrësit u pajisën me Certifikatë.
Workshopi u fokusua në disa tema kyçe si ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik, shëndeti mendor, higjiena dhe shëndeti seksual dhe riprodhues. Aktiviteti shërbeu si një platformë për dialog, bashkëpunim ndërsektorial dhe bashkë-krijim të mesazheve ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese që do të përdoren në fushatat komunitare të ardhshme.
Pjesëmarrësit vlerësuan rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse dhe theksuan nevojën për vijimin e iniciativave të tilla në shkolla dhe jo vetëm, që fuqizojnë aktorët lokalë për të promovuar një mënyrë jetese të shëndetshme në komunitet, veçanërisht tek fëmijët dhe brezat e rinj.