Periudha e implementimit: Shtator 2018-Prill 2019
Me mbështetjen e UNDP dhe në partneritet me Bashkinë Tiranë, që në vitet e para të veprimtarisë së saj Qendra Aset ka patur në fokus shërbimet për të moshuar dhe ka qenë iniciatore e krijimit të modelit të parë të Asistencës Shtëpiake në rang vendi. Modeli i shërbimit të asistencës shtëpiake u standartizua nëpërmjet manualeve dhe protokolleve të punës, standardit të ofrimit të këtij shërbimi me figura profesionale, si dhe u kostua për të patur të plotë modelin e ofrimit të këtij shërbimi inovativ social.
Projekti e realizoi qëllimin e tij dhe për Bashkinë Tiranë ofroi modelin e shërbimeve sociale inovative për të moshuarit në nevojë. Bashkisë ju ofrua modeli i Asistencës Shtëpiake për të moshuar si dhe manualet dhe standartet e ofrimit të shërbimit duke iu referuar praktikave më të mira të vendeve të rajonit për ndihmë dhe përkujdesje sociale, respektimit të dinjitetit dhe të drejtave të të moshuarve, me qëllim stimulimin e pavarësisë dhe integritetit social tek mosha e tretë.
Projekti ndikimin më të madh e pati në ngritjen e kapaciteteve gjatë trajnimeve të stafit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Sociale në Bashkinë Tiranë si dhe punonjësve socialë për shërbimin e ri të asistencës shtëpiake. Stafet e shërbimeve sociale pranë pushtetit vendor përfituan të gjitha njohuritë bazë e të domosdoshme mbi shërbimin e kujdesit në familje, si personat që kanë një rol kyç në këtë proces.
Projekti krijoi rrjetin e vullnetarizmit me figura profesionale, duke përfshirë studentë të shkencave sociale për ofrimin e asistencës shtëpiake. Vullnetarët u trajnuan për protokollet e ofrimit të shërbimit dhe funksionet e profesionistëve që do të ofrojnë këtë shërbim të ri. Ata bashkë me grupet e studentëve të shkencave sociale përfituan drejtpërsëdrejti nga projekti: do të kenë mundësinë edhe në të ardhmen të koordinojnë me institucionet duke rritur kapacitetet e tyre të rrjetëzimit.