Hartimi i Planit Social Rajonal për Qarkun Tiranë

 

Hartimi i Planit Social Rajonal për Qarkun Tiranë – Një Hap i Rëndësishëm për Mirëqenien Sociale  ( Dhjetor 2024 – Mars 2025 )

 

Në një përpjekje për të përmirësuar shërbimet sociale dhe për të adresuar nevojat e grupeve më të cenueshme, Qendra ASET, në bashkëpunim me Qarkun Tiranë, hartoi Planin Social Rajonal – një dokument strategjik që shërben si udhërrëfyes për politikat dhe ndërhyrjet sociale në territorin e tij.
Në vitet e fundit, dinamika sociale në Qarkun Tiranë ka reflektuar sfida të reja dhe të theksuara, si mungesa e shërbimeve në zona të caktuara rurale, përqendrimi i lartë i grupeve vulnerabël në zona urbane, pabarazitë në akses dhe cilësi të shërbimeve sociale, si dhe nevoja për ndërhyrje më të koordinuara në trajtimin e problematikave ndërbashkiake. Përballë këtyre zhvillimeve, u bë i domosdoshëm një instrument rajonal që të shërbejë si busull për planifikimin dhe ndërhyrjet sociale të nivelit vendor dhe rajonal, duke ndihmuar në garantimin e një mbulese më të gjerë dhe efektive të nevojave të komuniteteve. Ky instrument u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore, shërbimet sociale, organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetin, me synimin për të ndërtuar një sistem më të integruar dhe të qëndrueshëm të shërbimeve sociale.
Plani Social Rajonal përqendrohet në forcimin e qasjeve të koordinuara ndërmjet bashkive, në përmirësimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale të nivelit vendor dhe në ndërtimin e mekanizmave të përbashkët të ndërhyrjes. Përmes këtij dokumenti, Qarku Tiranë synon të orientojë veprimet e Këshillit të Qarkut në mbështetje të bashkive për planifikimin, zhvillimin dhe monitorimin e shërbimeve sociale në territor, duke ndihmuar në evidentimin e boshllëqeve ekzistuese, përforcimin e ndërhyrjeve prioritare dhe lehtësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Plani Social Rajonal ndërtohet mbi disa parime kryesore: gjithëpërfshirje dhe pjesëmarrje aktive të aktorëve lokalë, bashkëpronësi në proceset vendimmarrëse, mbështetje në të dhëna të sakta dhe fleksibilitet për të përshtatur ndërhyrjet me nevojat që evoluojnë në kohë.

Ai mbështetet në bashkëpunimin e ngushtë institucional ndërmjet Këshillit të Qarkut, bashkive të territorit, institucioneve qendrore dhe organizatave të shoqërisë civile, duke synuar krijimin e një platforme efektive për ndërtimin dhe zhvillimin e shërbimeve sociale gjithëpërfshirëse.

 

 

 

Design by Gremza