Periudha e implementimit: Gusht 2019-Gusht 2020
Në kuadër të projektit “Ndërgjegjësimi dhe forcimi i kapaciteteve në shërbimin e kujdestarisë alternative” pjesë e skemës së sub granteve nga SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri dhe organizata TLAS në kuadër të projektit “Zhvillimi i OSHC-ve për Familjet Kujdestare në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian, në vitet 2019-2020 Qendra ASET implementoi projektin “Ndërgjegjësimi dhe forcimi i kapaciteteve në Shërbimin Alternativ të Kujdestarisë”.
Qendra ASET promovoi shërbimin e kujdestarisë alternativ përmes rritjes së ndërgjegjësimit publik, për të garantuar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të standardizuara për fëmijët pa kujdes prindëror përmes identifikimit dhe trainimit të familjeve të mundshme të kujdestarisë. Për këtë qëllim u krijua dhe u transmetua edhe një spot televiziv me informacion mbi kujdestarinë alternative. Gjithashtu projekti synoi rritjen e interesit për tërheqjen dhe përfshirjen e familjeve me potencial për t’u bërë familje kujdestare në këtë shërbim shoqëror alternativ, si dhe rekrutimin e një numri të mjaftueshëm të familjeve që ju nënshtruan procedurave pranë Gjykatës Tiranë për t’u bërë familje kujdestare.
Përfitues të projektit ishin stafi i shërbimeve sociale, veçanërisht NJMF-të pranë njësive të qeverisjes vendore që u fuqizuan për t’u përfshirë më shumë në shërbimet alternative të përkujdesit social. Target grupi i dytë ishte komuniteti i cili përmes aktiviteteve ndërgjegjësuese të projektit morri një rol të rëndësishëm në vazhdimësi. Por më e rëndësishmja përfitues direkt të projektit ishin familjet me potencial për tu bërë kujdestare të cilat përmes sesioneve trajnuese janë trajnuar dhe përgatitur për të ofruar këtë shërbim si dhe janë asistuar me përgatitjen e të gjithë dokumentacionit për të vazhduar me procedurat në Gjykatë. Përfituesit më të rëndësishëm në këtë projekt kanë qënë fëmijët pa përkujdesje prindërore.Projekti u sigurua që këtyre fëmijëve t’u garantohej jetesa në familje duke shmangur institucionalizimin e tyre. Në përfundim të projektit 5 fëmijë u vendosën në familje kujdestare.