Mbështetje për një Sistem të Mbrojtjes Sociale gjithpërfshirës dhe reagues për aftësinë e kufizuar në Shqipëri

 

Periudha e implementimit: Prill 2024- Maj 2025

 

Qendra ASET me mbështetjen financiare të UNICEF, dhe në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe partneritet me Shërbimin Social Shtetëror mbështeti zbatimin e modelit bio-psiko-social për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, në përputhje me standardet ndërkombëtare (ICF).
Projekti përfshiu trajnime të akredituara për 122 profesionistë të komisioneve shumëdisiplinore në 12 qarqe, zhvillimin e Protokollit të Monitorimit të Shërbimit të Ndihmësit Personal dhe Vizitave në Familje, Udhëzuesin për Vlerësimin Biopsikosocial të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuar, Doracakun për përfitimet e fëmijëve me aftësi të kufizuar, si dhe një Raport të detajuar mbi hartëzimin e shërbimeve sociale për fëmijët me aftësi të kufizuarf në rang vendi. (Të gjitha këto botime mund ti lexoni elektronikisht në websitin e Qendrës ASET). Projektit i atribuohet një ndikim i rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve lokale (496 administratorë social dhe 153 punonjës social pranë Bashkive në 12 Qarqe u trajnuan mbi hartimin e planit të mbështetjes individuale për personat me aftësi të kufizuar dhe monitorimin e shërbimit të Ndihmësit Personal dhe realizimin e vizitave në familje) , përmirësimin e cilësisë së vlerësimit dhe forcimin e mekanizmave të bashkëpunimit mes strukturave vendore. Megjithatë, sfida si mungesa e burimeve në zonat e largëta, nevoja për trajnime të vazhdueshme dhe mungesa e koordinimit lokal u evidentuan si fusha që kërkojnë ndërhyrje të mëtejshme.
Janë zhvilluar 12 forume rajonale dhe një forum kombëtar, ku mbi 300 profesionistë ndanë përvoja, sfida dhe rekomandime për përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe referimit të rasteve. Rekomandimet për të ardhmen përfshijnë institucionalizimin e trajnimeve të detyrueshme, zhvillimin e moduleve të avancuara, forcimin e mentorimit dhe promovimin e takimeve të vogla lokale për të adresuar specifikat rajonale.

Projekti përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një sistemi më të barabartë, të ndjeshëm dhe të qëndrueshëm për personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri.

 

Design by Gremza