Periudha e implementimit : Korrik- Dhjetor 2022
Qendra ASET , mbështetur nga UNDP dhe në partneritet me Bashkinë Durrës dhe Kavajë, ka kontribuar me asistencë shtëpiake për mëkëmbjen e individëve më vulnerabël të prekur nga tërmeti i Nëntorit 2019 në Kavajë dhe Durrës duke i asistuar personat në nevojë (familjeve të prekura nga tërmeti, që jetojnë në varfëri, personat me aftësi të kufizuara dhe kategori të tjera të cenueshme) me shërbime përkujdesi në banesë, mbështetje psiko-soicale dhe asistencë për aksesin në shërbime shëndetësore. Projekt ky shumë i rëndësishëm për ofrimin e shërbimeve të integruara për familjet në nevojë. Për secilin prej përfituesve u hartua një plan individual ndërhyrjeje, duke përfshirë kujdes në banesë, mbështetje emocionale, dhe ndërlidhje dhe koordinim me shërbime të tjera komunitare. Shërbimet e ofruara përfshinin kujdesin për individët në shtëpi duke zbatuar manualet e përdorimit të standarteve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirqënies Sociale si dhe u përdoren të gjithë instrumentët e parashikuara në to (rregullore, përshkrime pune). Individët krahas shërbimit u mbështetën edhe me pako ushqimore dhe ndihma të tjera pajisje elektro-shtëpiake. Ky model asistence i ofruar nga Qendra ASET jo vetëm që lehtësoi barrën mbi personelin e njësive administrative, por gjithashtu fuqizoi kapacitetet e strukturave lokale të shërbimeve sociale.
Një komponent i rëndësishëm i projektit ishte trajnimi i studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale si operatorë socialë, të cilët më pas ofruan asistencë në terren për grupet e synuara.
Në përfundim të projektit, individët e identifikuar përfituan mbështetje të qëndrueshme dhe të
strukturuar, ndërsa studentët u angazhuan në një përvojë praktike që rriti aftësitë e tyre profesionale. Projekti promovoi ofrimin e shërbimeve sociale, duke krijuar rrjet vullnetarësh për të siguruar vazhdimësinë e mbështetjes për grupet në nevojë. Praktikat promovuan më shumë iniciativa publike për ndihmë në shtëpi për personat me probleme te ndryshme sociale, dhe ofruan mundësi trajnimi për të rritur kapacitetin e strukturave të shërbimeve sociale pranë pushtetit vendor.