EPOKA E ILUZIONEVE – Fuqia e Dezinformimit dhe Lufta kundër tij

Projekti “Epoka e Iluzioneve – Fuqia e Dezinformimit dhe Lufta kundër tij” është një nismë që synon të kontribuojë në luftën kundër dezinformimit dhe lajmeve të rreme në Shqipëri, përmes rritjes së edukimit mediatik dhe digjital, forcimit të mendimit kritik dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve mbi ndikimin e informacionit të manipuluar. Në fokus të projektit janë dy grupe kryesore, të rinjtë dhe të moshuarit, të cilët përballen në mënyra të ndryshme me sfidat që sjell përdorimi gjithnjë e më i gjerë i mediave digjitale dhe rrjeteve sociale.

Në kuadër të projektit po realizohet evidentimi dhe analizimi i nivelit të ekspozimit ndaj dezinformimit dhe aftësisë së grupeve të synuara për të dalluar informacionin e pasaktë ose të manipuluar. Përmes pyetësorëve po mblidhen të dhëna që do të ndihmojnë në identifikimin e nevojave konkrete dhe në orientimin e aktiviteteve të mëtejshme.

Një komponent i rëndësishëm i projektit është zhvillimi i trajnimeve për të rinjtë dhe të moshuarit. Të rinjtë nga zonat urbane dhe rurale do të angazhohen në trajnime mbi identifikimin e lajmeve të rreme, verifikimin e burimeve dhe zhvillimin e mendimit kritik në mjedisin digjital. Për të moshuarit po zhvillohen aktivitete informuese të përshtatura me nevojat e tyre, me fokus në njohjen e dezinformimit dhe përdorimin më të sigurt të mediave dhe rrjeteve sociale.

Projekti përfshin gjithashtu hartimin dhe zbatimin e një fushate ndërgjegjësuese, e cila do të përcjellë mesazhe të qarta mbi rëndësinë e verifikimit të informacionit përpara se ai të besohet apo shpërndahet. Përmes materialeve informuese, postimeve, videove të shkurtra dhe përmbajtjeve digjitale synohet të arrihet një publik më i gjerë.

Përmes ndërthurjes së kërkimit, edukimit dhe komunikimit publik, “Epoka e Iluzioneve” synon të forcojë rezistencën e qytetarëve ndaj dezinformimit, të promovojë një kulturë të informimit të saktë dhe të përgjegjshëm dhe të kontribuojë në një shoqëri më të ndërgjegjshme dhe më kritike ndaj informacionit që “konsumon” dhe shpërndan.

Design by Gremza