Projekti “Vlerësim Gjithëpërfshirës, Shërbime të Ndërlidhura” (Inclusive Assessment, Connected Services) zbatohet nga Qendra për Administrim Social Ekonomik Territorial (ASET) me mbështetjen e UNICEF Albania, gjatë periudhës 1 korrik 2026 – 28 shkurt 2027. Projekti synon të forcojë sistemin e vlerësimit të aftësisë së kufizuar për fëmijët në Shqipëri dhe të përmirësojë lidhjen ndërmjet procesit të vlerësimit, referimit, ofrimit të shërbimeve, ndjekjes dhe monitorimit të rasteve.
Ndërhyrja mbështetet në rezultatet dhe përvojën e projektit të mëparshëm të mbështetur nga UNICEF, duke u fokusuar në zbatimin praktik dhe përmirësimin e mjeteve dhe produkteve ekzistuese. Në kuadër të projektit do të rishikohen formatet e vlerësimit të aftësisë së kufizuar te fëmijët, do të përditësohen hartat rajonale të shërbimeve dhe do të përmirësohen mekanizmat që lidhin rezultatet e vlerësimit me referimin drejt shërbimeve sociale, shëndetësore, arsimore dhe rehabilituese.
Një komponent i rëndësishëm i projektit është identifikimi dhe dokumentimi i nevojave për teknologji asistive të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Vlerësimet do të realizohen me 30 fëmijë në tre qendra të përzgjedhura në Durrës, Vlorë dhe Prush, me qëllim evidentimin e nevojave konkrete, barrierave në akses dhe boshllëqeve ekzistuese në ofrimin e mbështetjes. Rezultatet do të përmblidhen në një raport analitik me gjetje dhe rekomandime për ndërhyrjet e ardhshme.
Gjithashtu, projekti do të forcojë kapacitetet praktike të Komisioneve të Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar, përmes mentorimit në terren, seminareve, rrjetëzimit, shkëmbimit të përvojave dhe rasteve studimore të bazuara në situata reale. Këto aktivitete synojnë përmirësimin e vendimmarrjes dhe zbatimin më të qëndrueshëm të metodologjive ekzistuese.
Në të gjithë zbatimin do të integrohen barazia gjinore, gjithëpërfshirja, pjesëmarrja, mbrojtja dhe llogaridhënia. Nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet, profesionistët dhe ofruesit e shërbimeve, projekti synon të krijojë një sistem më të koordinuar, efektiv dhe të qëndrueshëm, që u përgjigjet më mirë nevojave individuale të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre.