Projekti “Shqipëria qëndisur me kujtesë” kishte si qëllim të kontribuonte në ruajtjen, promovimin dhe transmetimin e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare, me fokus të veçantë në kostumografinë tradicionale, si pjesë e rëndësishme e identitetit kombëtar dhe e zhvillimit të turizmit kulturor. Përmes aktiviteteve të realizuara, projekti e bëri këtë trashëgimi më të aksesueshme për publikun vendas dhe ndërkombëtar, duke ndërthurur dokumentimin kulturor, teknologjinë, promovimin turistik dhe angazhimin aktiv të të rinjve.
Në fazën e parë u përgatit Albumi elektronik në gjuhën angleze “Shqipëria qëndisur me kujtesë”, i cili përmblodhi informacion historik, etnografik dhe kulturor mbi trevat e Shqipërisë, me fokus të veçantë te kostumet popullore dhe elementet e tyre karakteristike. Veshjet tradicionale u paraqitën si dëshmi të gjalla të identitetit kulturor, duke evidentuar simbolikën e ngjyrave, materialeve, qëndisjeve, formave dhe aksesorëve. Albumi u publikua në faqen zyrtare të Qendrës ASET dhe u bë i aksesueshëm përmes një kodi QR.
Në fazën e dytë u realizua promovimi i albumit në pikat turistike të Tiranës. Të rinj të trajnuar, të veshur me kostume tradicionale shqiptare dhe me njohuri të gjuhëve të huaja, ndërvepruan me turistët, prezantuan elemente të kulturës dhe etnografisë shqiptare dhe shpërndanë fletëpalosje me informacion mbi albumin dhe kodin QR për aksesimin e tij. Paralelisht, u zhvillua një fushatë promovuese dymujore në terren dhe në mediat sociale, duke rritur vizibilitetin e projektit dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Projekti u përmbyll me një aktivitet kulturor dhe edukativ, gjatë të cilit u prezantuan veshje tradicionale nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. Projekti u zbatua në Tiranë, përgjatë një periudhe katërmujore. Përmes rezultateve të arritura, u krijua një produkt kulturor i qëndrueshëm, u nxit përfshirja aktive e të rinjve dhe u kontribuua në promovimin e identitetit kulturor shqiptar dhe në rritjen e vizibilitetit të Shqipërisë si destinacion i turizmit kulturor.