Më 9 shtator 2025, Qendra ASET organizoi me sukses Takimin e Parë Kombëtar të Koordinatorëve të Shëndetit në Shkolla (Infermierët Shkollorë), në kuadër të fazës së dytë të projektit “Shkollat për Shëndetin”. Ky aktivitet mblodhi së bashku 91 profesionistë nga i gjithë vendi, mes tyre infermierë shkollash dhe përfaqësues nga Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, duke krijuar një hapësirë bashkëpunimi, shkëmbimi përvojash dhe forcimi të rrjetëzimit profesional mbi shëndetin në shkolla.
Takimi u çel me përshëndetjet e përfaqësuesve të institucioneve kryesore partnere si Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Shërbimet e Kujdesit Shëndetësor, Ambasada e Zvicrës dhe Save the Children. Në vijim, u prezantua Manuali i Koordinatorëve të Shëndetit në Shkolla, një instrument praktik i hartuar për të forcuar rolin e infermierëve dhe për të standardizuar ofrimin e shërbimeve shëndetësore në mjediset shkollore.
Pjesëmarrësit morën pjesë në sesione trajnimi të fokusuara në ndihmën e parë dhe reagimin në raste emergjente, si dhe në kujdesin dhe mbështetjen gjithëpërfshirëse për fëmijët me aftësi të kufizuara. Diskutimet ishin të gjalla dhe reflektonin angazhimin e lartë të infermierëve për të përmirësuar shërbimet shëndetësore në shkolla, për të rritur sigurinë, mirëqenien dhe ndërgjegjësimin shëndetësor të fëmijëve.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të rolit të koordinatorëve të shëndetit në shkolla, duke vendosur bazat për një model më të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të strukturuar të kujdesit shëndetësor për nxënësit. Ai përfaqëson një mundësi për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional, për të rritur ndërgjegjësimin komunitar dhe për të siguruar standarde më të larta në ofrimin e shërbimeve shëndetësore në shkolla. ASET mbetet e angazhuar për të mbështetur procesin e forcimit të kapaciteteve të profesionistëve dhe për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së shëndetit në shkolla në nivel kombëtar, duke promovuar gjithashtu shëndetine fëmijëve si një prioritet.