Forumi “HOPE” mbi fenomenin e Hikikomorit

Më 18 mars 2025, Qendra ASET organizoi Forumin “HOPE”, i cili synoi të rrisë ndërgjegjësimin mbi fenomenin e Hikikomorit, një problem shqetësues që prek shumë të rinj, të cilët izolohen nga jeta sociale. Gjatë këtij forumi, ekspertë të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të institucioneve publike diskutuan shkaqet e këtij izolimi ekstrem, përfshirë ndikimin e familjes, bullizmin, presionin shkollor dhe ndikimin e teknologjisë, si faktorë kyç që ndikojnë në këtë fenomen.
Një nga momentet më të rëndësishme të forumit ishte pjesëmarrja e Presidentes së Shoqatës së Prindërve Hikikomori në Itali, Elena Carolei, e cila ndau përvojat dhe njohuritë mbi trajtimin e hikikomorit në shtetin fqinj. Gjithshtu kishim kënaqësinë të kishim prezent edhe ekspertë të tjerë italianë të cilët analizuan modelet ndërkombëtare të mbështetjes dhe intervenimit për të rinjtë që preken nga ky fenomen, duke ofruar strategji dhe politika për t’i ndihmuar ata të riintegrohen në shoqëri.
Forumi “HOPE” gjithashtu trajtoi rolin e shoqërisë dhe institucioneve publike në parandalimin dhe trajtimin e fenomenit të hikikomorit në Shqipëri. Diskutimet u përqendruan në strategjitë e ndërhyrjes, politikat mbështetëse dhe angazhimin institucional për të parandaluar përhapjen e këtij fenomeni. U theksua rëndësia e bashkëpunimit mes organizatave jofitimprurëse, institucioneve dhe shoqërisë për të krijuar mundësi mbështetjeje dhe për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme.
Ky forum u konsiderua një sukses i jashtëzakonshëm dhe Qendra ASET angazhohet për vazhdimin e iniciativave të tilla në të ardhmen, për të luftuar fenomenin e hikikomorit dhe për të mbështetur të rinjtë në Shqipëri.

 

Design by Gremza